Filmi kushtuar Elton John ngre Kanën në këmbë

Rock, dashuri dhe lot. Audienca e Festivalit të Kanës i përjetoi të gjitha këto mbrëmjen e së enjtes, kur u shfaq filmi i shumëpritur biografik për Elton John,‘Rocketman’.

I pranishëm ishte edhe vetë “Njeriu-raketë”, i cili në fund të ekranizimit, kur e gjitha salla shpërtheu në ovacione të gjata, nuk i përmbajti dot lotët.

I shfaqur jashtë konkurrimit, ‘Rocketman’ fokusohet në 10 vite të jetës së legjendës së muzikës, nga fillimet e karrierës në Akademinë Mbretërore të Muzikës, beteja me drogën dhe pranimi i homoseksualitetit.  Në rolin e këngëtarit të njohur britanik interpreton aktori Taron Egerton.

Pas shfaqjes së filmit, 72 vjeçari surprizoi fansat me një performancë të veçantë të këngës së vitit 1983  “I’m Still Standing.” Atij ju bashkua në skenë dhe aktori Egerton, me të cilin këndoi edhe hitin nga ka marrë titullin filmi,  “RocketMan,” i publikuar në vitin 1972.

Euforia për pjesëmarrjen e Elton John, ishte e madhe edhe në tapetin e kuq, ku 72 vjeçari parakaloi në shoqërinë e bashkëshortit. U desh ndërhyrja e organizatorëve për të mundësuar kalimin e Elton John drejt teatrit “Lumiere” ku u shfaq premiera. 

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN