Frika nga marrëveshja, alarmohen Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni, qetëson Balla

Opozitarët e rinj ashpërsojnë tonet, sapo Rama dhe Basha i ulën disi ato, të paktën  në komunikimet publike në distancë.  Mundësia e arritjes së një marrëveshjeje të ngjashme me atë të 18 majit 2017- duket se ka krijuar jo pak shqetësim tek kuvendorët e rinj.

“Në Tiranë zhvillohet një teatër i shëmtuar të marrëveshxhinjve të pashoqë, që po shikojnë dashurinë e tyre në kohën e kolerës”, deklaroi në Kuvend Rudina Hajdari.  Pas saj deputeti Gjoni iu drejtua Hajdarit duke i thënë që “ku vend nuk mund të bëhet nëse ne nuk bashkohemi këtu, dhe të detyrojmë mazhorancën që tryezën e vetme e ndonjë marrëveshje të ardhshme  ta kthej vetëm në komisionin e reformës zgjedhore”.

Dy vite më parë Rama dhe Basha treguan se mund të kapërcejnë çdo vështirësi, qoftë dhe ligjore. Sa të sigurt e ndjejnë mandatin deputetet e rinj të listës PD- LSI? Taulant Balla provoi t’i qetësonte, madje duke vlerësuar e nevojën e votave të tyre. 

“Nuk bën partia socialiste marrëveshje në kurriz të kushtetutës. Zgjedhjet do të jenë më 30 qershor”, përsëriti Balla.  

Por thuajse identike me 2017-n, ngjajnë retorikat e Bashës dhe Ramës, kur njeri përbetohej se nuk do të kishte zgjedhje, ndërsa tjetri se nuk do të ndryshonte datën e tyre.

Të premten mbushen plot 2 vite nga 18 maji, kur kryeministri dhe lideri i opozitës konkretizuan marrëveshjen që i dha Partisë Demokratike 6 ministra teknikë dhe zv. kryeministrin, disa drejtori dhe shtyu për disa ditë zgjedhjet.

Vetëm pak muaj më pas, marrëveshja u shpall nga të dy palët e vdekur. Por në prag të  zgjedhjeve të radhës vendi po përjeton një tjetër krizë politike. Përsëri po kërkohet një dakordësim tjetër po me ndërmjetësim ndërkombëtar. Por a janë gati Basha dhe Rama të kapërcejnë paranojën e 2017-es.  

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN