Lotaria Amerikane drejt mbylljes, Trump shpalos planin për emigracionin

Presidenti amerikan, Donald Trump prezantoi planin për një sistem të ri emigracioni që favorizon të rinjtë, të talentuarit dhe punonjësit anglisht-folës.

Gjatë një fjalim të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, ai propozoi braktisjen e sistemit aktual që iu jep përparësi aplikuesve që kanë lidhje familjare në SHBA. Sipas Trump, plani do të forcojë sigurinë kufitare dhe do të krijojë një sistem të bazuar në merita.

“Plani im lehtëson procedurat për azilkërkuesit e ligjshëm, duke i dhënë përparësi meritave. Ne i diskriminojmë gjenitë. Ne diskriminojmë të shkëlqyerit, por me sistemin e ri kjo nuk do të ndodhë më”, u shpreh presidenti Trump.

Plani do ta eliminojë krejtësisht programin e Lotarisë Amerikane, në bazë të së cilit u jepen karta të gjelbra 50,000 njerëzve nga vende me përqindje të ulëta emigrantësh në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump tha se ata që vijnë përmes lotarisë, janë njerëz pa shumë aftësi.

Propozimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë do ta mbante numrin e kartave të gjelbra dhe statusit të banorit të përhershëm në rreth 1.1 milionë në vit, por do të ndryshonte mënyrën se si ato përcaktohen, duke iu dhënë përparësi individëve me aftësi të veçanta dhe të arsimuar, me perspektiva punësimi apo investimesh, në vend të lidhjeve familjare me qytetarë amerikanë, ose nevojave humanitare. Trump i kërkon Kongresit miratimin e planit, por deri më tani ai nuk gjetur mbështetje as në Partinë Republikane, e jo më tek rivalët demokratë.

Shkarkoni aplikacionin e A2