PD, anëtarë në KZAZ, Kosovrasti përplaset me Bibën

Partia Demokratike kërkon që të ketë sy vëzhgues në zgjedhjet e 30 qershorit. Zgjedhje për të cilat thotë se nuk hyn me Ramën Kryeministër.

Por ujërat duket se po lëvizin dhe në KQZ u shfaq këtë të premte Njazi Kosovrasti, përfaqësuesi ligjor i PD.

Vetë mazhoranca në KQZ nuk ka një qëndrim të qartë për kërkesën e PD, por fillimisht Denar Biba kujtoi se kjo forcë politike nuk është pjesë e zgjedhjeve.

“Duke mos qenë subjekt zgjedhor, interesi juaj me atë që po ndodh këtu është një me gazetarët apo me çdo qytetar tjetër”, tha Biba.

Por Kosovrasti shfletoi Kodin Zgjedhor dhe citoi nenin që e bën, sipas tij, PD-në parti parlamentare, duke i dhënë të drejta të plota për të pasur anëtarë në KZAZ.

Kosovrasti: Sipas jush, PD duhet të vijë këtu apo jo?

Biba: Seancat tona janë publike dhe mund të vijnë të gjitha partitë. Jeni subjekt zgjedhor? Jeni regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit?

Kosovrasti: Jo.

Biba: Nuk kam asnjë gjë tjetër për të shtuar…

Kosovrasti: Këtu unë kam një nen. Unë jam parti parlamentare dhe si e tillë më takon të marr pjesë në mbledhjet e KQZ.

Aktualisht në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, nuk ka ende asnjë listë zyrtare me emrat e të zgjedhurve të PD-LSI për anëtarë të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Shkarkoni aplikacionin e A2