Vendoret, Krasniqi: Mund të shtyhen në vjeshtë. Celibashi: Vetëm me ndryshim në Kushtetutë

A duhet të shtyhen apo jo zgjedhjet e 30 qershorit? Për Edi Ramën jo, për opozitën nuk do të mbahen fare.

Por si interpretohet ligji? Analisti Afrim Krasniqi thotë për A2 CNN se zgjedhjet mund të shtyhen edhe në vjeshtë, ndërsa ish-kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi sheh fund qershorin si mundësinë e vetme ligjore, nëse më parë palët nuk fusin ‘’duart’’ në Kushtetutë.

“Nëse nuk bëhen zgjedhjet në qershor, periudha më e afërt do të jetë 15 shtatori. Nëse do të bëhet një kompromis nuk do të jetë për t’i shtyrë një javë apo një muaj, por 3 deri në 4 muaj”, thotë Krasniqi.

“Nuk ka asnjë shans që zgjedhjet të zhvillohen në 15 shtator-30 nëntor. Nëse palët ulen dhe ndryshojnë ligjin dhe i japin fuqi prapavepruese, kjo është një çështje tjetër. Por edhe këtu ka një problem me Kushtetutën, pasi ajo e ka të përcaktuar se mandati i të zgjedhurve vendor është 4 vjet”, thotë Celibashi.

Por nëse në zgjedhjet lokale të 2007, në zgjedhjet e përgjithshme të 2017, pati shtyrje, ku qëndron problemi për të mos pasur shtyrje dhe më 30 qershor?

“Në dallim nga të gjitha periudhat e mëparshme, opozita nuk është pjesë e jetës parlamentare”, thotë Krasniqi.

“Nuk do të ishte një precedent i mirë, por nuk do t’u jepte kreditë askujt prej atyre të cilët në një mënyrë ose në një tjetër kanë këtë qasje”, thotë Celibashi.

Kodi Zgjedhor i ka të qarta afatet për regjistrimin e partive në zgjedhje. Por Celibashi e gjen një zgjidhje për situatën te precedenti i 2017. Mund të ketë interpretim të zgjeruar, shton ai. Shtyrja e këtyre afateve, do të ishte “ujë për të shuar disi zjarrin”. Por marrëveshja, në bazë të llogarive, duhet të arrihet brenda majit, për t’i lënë kohë të dyja palëve që të bënin edhe fushatë. Në këtë mënyrë opozita do të rikthehej në ringun politik, shans për të garuar më 30 qershor.

“Ajo që meriton të konsiderohet më së pari është ligji dhe Kushtetuta, tej kësaj çdo diskutim tjetër është çështje interesash dhe parapëlqimesh të ndryshme”, thotë Celibashi.

Ndërsa Krasniqi shkon edhe më tej, duke thënë se arritja e një marrëveshjeje, duhet të jetë përtej hundës së Ramës e Bashës.

“Nëse ata bëjnë një marrëveshje të personalizuar, asgjë nuk i sjell Shqipërisë. Vendi ka nevojë për një marrëveshje reformash dhe jo marrëveshje individësh”, shprehet Krasniqi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN