Arta Marku zhgënjen Qeverinë

Puna e Arta Markut nuk i ka lënë shumë mbresa ministres së Drejtësisë. Etilda Gjonaj foli me statistika për ulje të hetimeve për korrupsionin gjatë vitit 2018, në krahasim me vitin paraardhës.

“Ajo që përbën shqetësim është numri i vogël i procedimeve penale të dërguara për gjykim, që është rreth 8,6% i numrit total të çështjeve të riregjistruara”, tha Gjonaj gjatë raportimit të saj në Komisionin e Ligjeve.

Pritshmëria që organi i akuzës të hetojë korrupsionin në nivele zyrtarësh të lartë, ka qenë më e madhe sesa puna e kryer, sipas ministres Gjonaj, njëkohësisht koordinatore anti korrupsion në Qeveri. E madhe ka qenë dhe pritshmëria që Kryeprokurorja të nisë inspektimet ndaj prokurorëve që shkelin ligjin. Gjatë 1 viti punë, Marku ka kërkuar vetëm 2 të tilla.

“Do të duhej i njëjti proaktivitet, mbase edhe pak me tejkalim kompetence, për të nisur hetime disiplinore prokurorët që kanë shkelur ligjin. Të gjithë jemi në mungesë kompetencash, apo në një kuadër të qartë ligjor për sa i përket hetimeve disiplinore, por nuk mund të lëmë gjyqtarë e prokurorë që kryejnë shkelje ligjore”, shtoi ministrja e Drejtësisë.

Në mbrojtje Kryeprokurores së Përgjithshme të përkohshme doli kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili tha se ajo ka punuar me kompetenca të kufizuara. Arta Marku mori mandatin e përkohshëm në krye të organit të akuzës në dhjetor të vitit 2017. Ajo është në garë së bashku me 4 prokurorë të tjerë për të drejtuar institucionin në 7 vitet e ardhshme.

Shkarkoni aplikacionin e A2