Denoncimi i PD: Rama po regjistron kandidatë me dokumente false

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se po regjistron kandidatë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit në mënyrë te paligjshme dhe me dokumente false. Gjithashtu, PD akuzon Bindjen Demokratike si paterice te kryeministrit Rama.

“Sot, do të provojmë para opinionit publik sesi Edi Rama po përdor çdo mjet, po shkel ligjin zgjedhor dhe po manipulon procesin ende pa nisur për llogari të patericës së tij, Bindjes Demokratike. Sipas ligjit që një kandidat i një partie politike të regjistrohet nga KZAZ dhe KQZ në zgjedhje, duhet të paraqesë një vërtetim që partia politike zotëron një mandat deputeti të paktën 6 muajt e fundit. Në të kundërt, duhet të mbledhë firma nga votuesit e secilës zonë, ku kandidon. Bindja Demokratike nuk përmbush asnjërin nga të dy kushtet ligjorë. Partia e krijuar në paradhomën e Edi Ramës ka paraqitur kandidatë false në zgjedhjet false me një vërtetim false nga Kuvendi i Shqipërisë”, tha në një konferencë për shtyp Ivi Kaso, sekretar për çështjet zgjedhore në PD.

“Në një akt të paprecedentë, për llogari të Edi Ramës, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka falsifikuar dokumentet zyrtare, duke lëshuar për partinë fantazmë të Edi Ramës një vërtetim, sikur përfaqësohet në Kuvend nga një deputet që ka 6 muaj që ushtron mandatin e tij. Bëhet fjalë për deputetin Andi Përmeti, i cili nuk ka mbushur as 1 muaj në marrjen e mandatit”.

Kaso gjithashtu tha se ka paraqitur kallëzim penal ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit për pasqyrimin e të dhënave të pavërteta në dokumente zyrtare. “Partia Demokratike e Shqipërisë paralajmëron sot çdo anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve  apo KZAZ-ve se do të mbajnë përgjegjësi penale për shpërdorim detyre për çdo shkelje të ligjit, për çdo regjistrim kandidatësh në kundërshtim me ligjin dhe me dokumente të falsifikuara”.

Gjatë ditës, sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Kaso, bashkë me përfaqësuesin e LSI, kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën me emrat e anëtarëve të opozitës në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Shkarkoni aplikacionin e A2