Patozi zbulon deputetin surprizë që mbështet Bindjen Demokratike

Pas akuzave nga ana e Partisë Demokratike se partia e tij nuk ka të drejtë të regjistrojë kandidatë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit pasi nuk mbështetet ligjërisht nga deputetë me mandat të paktën 6-mujor në Kuvend, ka reaguar kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Patozi sqaron se përveç Andi Përmetit, partinë e tij e mbështet edhe një emër surprizë, Lefter Koka, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim

“E vetmja punë që ata bëjnë qysh nga data e krijimit të forcës sonë politike është që të na ndjekin dhe përgjojnë, për çdo fjalë që themi dhe çdo veprim që bëjmë, por ne nuk shqetësohemi fare nga kjo. Përkundrazi, e konsiderojmë reklamë falas për një parti të re. Sot paskan shpikur që kandidatët tanë qenkan të paligjshëm, sepse nuk u mbështetkan nga një mandat deputeti në të paktën 6 muajt e fundit. Sqarojmë publikun se Bindja Demokratike mbështetet jo nga një, por nga firmat e dy deputetëve për të garuar dhe kandiduar në gjithë Shqipërinë. Ata janë zotërinjtë Lefter Koka dhe Andi Përmeti, dhe për këtë ekziston e gjithë praktika e depozituar në KQZ. Më poshtë, fotokopja e shkresës së protokolluar”.

Astrit Patozi, Facebook

Patozi shton se Bindja Demokratike i ka kapur të gjitha afatet dhe detyrimet ligjore për të konkurruar në 26 bashki me kandidatë për kryetar dhe në rreth 55 të tilla për lista këshilli.

“Madje në shumë raste ne kemi pasur edhe firmat e qytetarëve të disa bashkive, përvec atyre të deputetëve, të cilat ishin kriter i mjaftueshëm, sipas ligjit. Si përfundim, i ftojmë që të qetësohen ata që kanë zgjedhur të na ndjekin ne, e të mos hyjnë vetë në zgjedhje. Ata nuk do të na pengojnë dot kurrë që ne të marrim pjesë dhe të garojmë në procesin e pandalshëm të 30 qershorit”

Astrit Patozi, Facebook
Shkarkoni aplikacionin e A2