Publikohet video e fshehtë, jep dorëheqjen zv.kancelari austriak

Zëvendës kancelari austriak Heinz-Christian Strache dha dorëheqjen nga posti, një ditë pas publikimit të një videoje komprometuese. Zyrtari i lartë u filmua teksa ofronte kontrata shtetërore në këmbim të mbështetjes politike. Strache tha se po largohej për të shmangur dëme të mëtejshme në Qeveri, dhe pohoi se kishte qenë viktimë e një sulmi politik.

Ministri i transportit, Norbert Hofer, do ta zëvendësojë atë në postin e zëvendës kancelarit. Videoja që është xhiruar në mënyrë të fshehtë pak para zgjedhjeve të 2017-tës në Austri e që u publikua nga “Der Spiegel” dhe “Süddeutsche Zeiutng”, tregon Strache-n ndërsa diskuton për financime të paligjshme për partinë e tij të Lirisë, me një 16-vjeçare që pretendon te jetë një investitore ruse. Ajo ofrohet të investojë rreth 250 milionë euro për të përvetësuar aksione të shtypit austriak, veçanërisht të përditshmen “Kronen Zeitung”.

“Nëse e blen gazetën 3 javë para zgjedhjeve dhe na nxirrni ne në vend të parë mund të flasim për gjithçka”, pohon zëvendës kancelari në video. Por ajo që nuk dinte lideri i së djathtës ekstreme ishte se takimi në Ibiza ishte një kurth. Nuk është e qartë kush e sajoi dhe filmoi takimin. Zbulimet komprometuese erdhën mes tensioneve të larta në koalicionin qeverisës austriak. Kancelari Sebastian Kurz nuk humbi kohë para se të përjashtonte mundësinë e bashkëpunimeve të mëtejshme me Strache-n.

Shkarkoni aplikacionin e A2