Rama: Më 30 qershor ngordh politika e pengmarrjes së procesit demokratik

“30 qershori nuk është një datë e zakonshme si të tjerat, por është një datë e caktuar nga Kushtetuta që populli të dëgjojë ofertat e partive politike”. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij me kandidatët socialistë për kryetar bashkie, duke theksuar se zgjedhjet vendore do të mbahen në datën e përcaktuar dhe se nuk do të ketë shtyrje.

“Për shkak të ikjes së tyre nga rruga kushtetuese e zgjedhjeve dhe frikës nga ballafaqimi me humbjen e radhës, në një pjesë të bashkive nuk do të ketë më shumë se sa një kandidat. Por gjithsesi do të ketë fushatë, madje si asnjëherë më parë”, tha Rama. “Kjo është një betejë me fantazmat e së shkuarës. Opozita ka risjellë hijen e frikës nga përsëritja e historive të zymta, por është koha që këtë hije ta zmbrapsim një herë e mirë. Më 30 qershor do të ngordhë politika e pengmarrjes së procesit demokratik”

Kryeministri akuzoi drejtpërdrejt Sali Berishën, edhe pse nuk e përmendi në emër, si personin që ka qenë nismëtar i tërheqjes së opozitës nga gara. “Urrejtjen klasore që mori në Partinë e punës e transferoi te Partia Demokratike. Një individ që si President i vuri flakën Shqipërisë, si Kryeministër vrau e plagosi protestues, nuk mund të vazhdojë të kërcënojë përsëri këtë popull, nga frika se mund t’i vijë fletëthirrja e drejtësisë”, shtoi Rama. “Nga kjo detyrë iket vetëm kur e kërkojnë ata që ta kanë dhënë detyrën, me votën e tyre në zgjedhje, apo me votën e popullit si përfaqësues në Parlament”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN