Atalanta thuajse në Champions, shpërfytyrohet Inter

Atalanta mori një pikë tepër të vlefshme në fushën e kampionëve të Italisë, Juventus, duke u ngjitur kështu në vend të tretë në renditjen e Serie A, falë edhe shpërfytyrimit të Interit në fushën e Napolit, ku u mund 4-1.

Bergamaskët shënuan të parët në të 33′, kur Josip Ilicic shfrytëzoi më së miri pasimin e Andrea Masiello-s dhe nga shumë pranë portës, dërgoi topin në rrjetë. Por dhjetë minuta nga fundi, Mandzukic i hoqi tri pikët miqve, kur shënoi golin e barazimit pas krosimit të Cuadrado-s.

Megjithatë skuadra e Gjimshitit (titullar për 90 minuta) dhe Berishës (në stol) ruajti vendin e tretë pasi Interi u shkërmoq në “San Paolo”. Napoletanët shënuan plot katër herë, me Zielinskin, Mertens dhe Ruiz (dopietë), ndërsa Icardi realizoi golin e vetëm për miqtë me penallti.

Java e fundit e Serie A premton të jetë tepër emocionuese, me tre skuadrat që do të luftojnë për dy vende në Champions League.

Atalanta dhe Milan – të dyja me nga 65 pikë – kanë në letër sfidat më të lehta, pasi luajnë respektivisht kundër Sassuolo-s dhe Spal-it, ndërsa Inter (66 pikë) pret Empoli-n në “San Siro”, kundërshtar që luan për mbijetesë.

Shkarkoni aplikacionin e A2