Arben Skënderi: Garoj për kryebashkiak, sepse njerëzit duan alternativë

Arben Skënderi, kandidat i Bindjes Demokratike për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 30 qershorit, i ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, deklaroi se “njerëzit kanë nevojë për alternativë” dhe për këtë arsye ai vendosi që të hyjë në këtë garë.

Më tej, kandidati i Bindjes Demokratike deklaroi se politikanët kanë harruar që të dëgjojnë qytetarët.

“Njerëzit kanë nevojë që të dëgjohen. Jam i lodhur nga manipulimi publik që bëhet nëpërmjet forcës. Ndihem i dhunuar kur dikush kërkon të më mbushë mendjen për diçka që unë nuk e besoj. Duhet komunikim. Ne kemi harruar t’i dëgjojmë hallet e qytetarëve dhe shkëputja nga ata na ka sjellë në këtë pikë”, u shpreh Skënderi.

Kur u pyet se çfarë mendon për ata që thonë se Arben Skënderi ka hyrë në garën për kryebashkiak të Tiranës thjesht për të legjitimuar Erion Veliajn, kandidati i Bindjes Demokratike tha: “Është normale që njerëzit të jenë skeptikë. I mirëkuptoj të gjithë, edhe militantët e PD-së. Edhe unë mund të isha skeptik, pasi sistemi ynë ka krijuar mungesë besueshmërie. Ne mbetemi për t’u provuar dhe koha do e tregojë. Por, ky systemi ynë e sheh si kërcënim Bindjen Demokratike”.

Arben Skënderi theksoi në fund se “askush nuk e do votimin elektronik”.

“Edhe pse u fol që do të futemi me kokë që të bëjmë votimin elektronik, gjë që bëhej për një vit e gjysmë, nuk u arrit të bëhej”, nënvizoi Skënderi.

Shkarkoni aplikacionin e A2