Kufiri Kosovë-Serbi, shefi i Kabinetit të Thaçit: Rama nuk ndërhyri në Berlin

I ftuar në Ditarin e orës 19:00 në A2 CNN, Bekim Çollaku, shefi i Kabinetit të Presidentit të Kosovës, foli për zhvillimet e fundit pas rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri dhe komentoi lajmet për ndërhyrjen e Kryeministrit të Shqipërisë për çështjen e kufijve dhe taksës ndaj produkteve serbe në Berlin.

Këshilltari i presidentit Thaçi deklaroi se rezultatit i zgjedhjeve në veri të vendit nuk solli ndonjë gjë të re, përveç faktit se ishin zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas tij 4 kandidatët, pavarësisht se janë të mbështetur nga Beogradi, janë shtetas së Republikës së Kosovës.

I pyetur se nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndërhyrë për çështjen e kufirit dhe për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe gjatë Samitit të Berlinit, këshilltari Çollaku u shpreh se ky është thjesht një ekzagjerim dhe spekulim i qartë. Sipas këshilltarit të presidentit Thaçi, Edi Rama është një mbështetës i madh i Kosovës dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme.

Në fund, këshilltari Bekim Çollaku komentoi dhe deklaratën e kryeministrit Haradinaj se nuk do të lejojë Përfaqësuesen e lartë të BE, Mogherini të jetë më ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është një papjekuri politike, BE është ndërmjetësuesi i vetëm i këtyre negociatave”, mbylli intervistën e tij për A2 CNN këshilltari i presidentit të Kosovës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN