“Transportuesi”, Krimet mbyllin hetimin për suedezin

Prokuroria për Krimet e Rënda ka përfunduar hetimin për një 22-vjeçar nga Suedia, të akuzuar për trafik armësh.

I riu Rickard Sebastian Vall u arrestua në 13 korrik 2018, në pikëkalimin kufitar të Muriqanit në Shkodër, në bordin e një autobusi të linjës Kosovë-Gjermani, pasi në çantën e tij u gjetën 19 pistoleta.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga A2CNN, Sebastian Vall ka komunikuar me trafikantë armësh në Suedi. Pasi është pajisur me një vizë provizore, ai ka udhëtuar drejt Stambollit në Turqi e më pas në Prishtinë, ku ka marrë edhe armët e zjarrit nga një person i paidentifikuar.  

Dy ditë më vonë ai ka kaluar në Shqipëri në bordin e një furgoni dhe më pas ka hipur në një autobus që udhëtonte nga Kosova drejt Gjermanisë. I riu nuk ka identifikuar për hetuesit porositësit apo furnitorin e armëve, ndërsa ka pranuar se gjithçka e ka bërë për para’.

Në dosje thuhet se i akuzuari Vall ka deklaruar se armët e zjarrit i ka marrë nga një person në Prishtinë për t’i dërguar në Suedi, pasi ai ishte thjesht në rolin e transportuesit. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, i riu ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “trafikimit të armëve dhe municionit, në bashkëpunim”. 

Shkarkoni aplikacionin e A2