Zgjedhjet në veri, Lista Serbe fiton në të katërta komunat

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të së dielës për kryetarët e komunave në veriun e Kosovës, rezultuan me fitoren e Listës Serbe në të katër komunat, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan.

Subjekti politik i themeluar dhe mbështetur nga Beogradi, u përball ne këto zgjedhje me kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakic, shpalli fitoren në mesnatë, duke e quajtur atë një fitore të popullit dhe shtetit serb.

“Shpallim fitoren e Listës Serbe, përkatësisht fitoren e popullit serb. Ajo që dua në fillim të them është se bojkoti i opozitës nuk ka pasur sukses. Lista Serbe ka fituar mbi 90% të votave në katër komunat veriore. Faleminderit shtetit të Serbisë, Marko Gjuric, Aleksandar Vucic, Qeverisë së Serbisë, për apelin që i kanë bërë popullit serb për unitet”, tha Rakic.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic i përcolli urimet përmes telefonit dhe vlerësoi se zgjedhjet e së dielës ishin “konfirmimi më i mirë për unitetin politik të serbëve rreth interesave kombëtare dhe shtetërore të Serbisë”.

Ndërkaq, udhëheqësit politikë të Kosovës e vunë theksin tek procesi i rregullt e pa incidente. Kryeministri Ramush Haradinaj përshëndeti pjekurinë e qytetarëve, që siç tha votuan pa ndonjë incident, ndërsa kryetari i Parlamentit dhe Partisë Demokratike, Kadri Veseli, tha se zgjedhjet konfirmuan sovranitetin institucional dhe territorial i Republikës së Kosovës.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në votime morën pjesë 24 mijë e 600 votues nga rreth 58 mijë të regjistruar. Të 4 komunat serbe janë pa kryetarë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar kur ish kryetarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Shkarkoni aplikacionin e A2