Dy aspektet e Maradonës në Festivalin e Kanës

Përmes xhirimeve të pashfaqura më parë, dokumentari i ri për legjendën e futbollit, Diego Maradona, hedh dritë në momentet intime të futbollistit me familjarët dhe shokët e skuadrës.

Dokumentari i shfaqur në Festivalin e Kanës gjurmon momentet e lavdisë në ekipin italian të Napolit dhe si kapiten i Argjentinës fituese të Kampionatit Botëror, por gjithashtu rënien nga piedestali, jetën ekstravagante dhe betejat me varësinë nga droga.

Pjeswmarrja e Maradonës në premierën e Kanës ishte e shumëpritur, por 58-vjeçari e humbi ekranizimin e dokumentarit kushtuar atij për shkak të një dëmtimi në shpatull.

I quajtur thjesht “Diego Maradona”, prodhimi mban vulën e regjisorit Asif Kapadia, i njëjti që ka realizuar dokumentarët për Amy Winehouse dhe Ayrton Senna.

“Kemi përfshirë materiale arkivi të shumë kohëve më parë, me familjen e fëmijët, të cilat as ai vetë nuk i ka parë. Mendoj se edhe për të do të jetë shumë emocionues”, deklaroi regjisori.

Dokumentari, i cili u prit mirë nga kritika pas shfaqjes në Kanë, përfshin disa prej momenteve më intensive të rritjes së tij drejt famës, por ai ofron një vështrim të afërt edhe të jetës abuzive, duke ndarë Diegon si njeri nga Maradona legjenda. 

Shkarkoni aplikacionin e A2