Ervin Bushati: Agjenda e opozitës, ndoshta e financuar nga forca që nuk e duan BE-në

Ervin Bushati, deputet i Partisë Socialiste, i ftuar në “Ditari” në A2 CNN, lëshoi akuza të forta ndaj opozitës duke thënë se agjenda e saj “është një agjendë antikombëtare, e sinkronizuar në të gjithë Ballkanin, me sisteme ruse molotov për të djegur dhe ndoshta e financuar nga forca që nuk e duan NATO-n, BE-në dhe politikën perëndimore”.

“Ndërkombëtarët thonë se qeveria është legjitime dhe nëse opozita nuk hyn në zgjedhje, zgjedhjet do të jenë legjitime. Zoti Basha është gabim, ia ka fut kot. Do të bënte mirë që sot të punonte për Shqipërinë dhe pasi të merret ftesa për të hyrë në BE, të vazhdojë me kauzat e veta. Është një axhendë antikombëtare, e sinkronizuar në të gjithë Ballkanin, me sisteme ruse Molotov për të djegur dhe ndoshta e financuar nga forca që nuk e duan NATO-n, BE-në dhe politikën perëndimore”, deklaroi Bushati.

Deputeti socialist theksoi se ndërkohë “mazhoranca është e përqendruar te integrimi i vendit”.

“Kreu i Parlamentit sot është në Holandë, sot kishim Komisionerin e Sigurisë në Shqipëri… asgjë nuk na e heq fokusin nga detyra që ne kemi. Prapësitë e opozitës nuk mund të bëjnë që të jemi të papërgjegjshëm, të lodhur apo të shpërqendruar nga detyra jonë për të çuar Shqipërinë në Evropë. Ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për veprimet e opozitës, apo më saktë Lulzim Bashës, i cili nuk ka mbështetje”, theksoi Bushati.

Shkarkoni aplikacionin e A2