Frontex në kufirin shqiptar, Avramopoulos: Ulni kërkesat për azil

Në prag të progres raportit për Shqipërinë, komisioneri Dimitris Avramopoulos tha se vendi duhet të vazhdojë rrugën e reformave, kryesisht në identifikimin e kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Evropian.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, për operacionin e agjensisë evropiane Frontex për menaxhimin e kufijve, Avramopulos u shpreh se Shqipëria ka bërë progres me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar e lëndëve narkotike, punë e cila duhet të vazhdojë të jetë e qëndrueshme.

“Që nga qershori i fundit Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar, kultivimit të kanabisit dhe kjo është për t’u njohur, por ky progres duhet të vazhdojë të jetë i qëndrueshëm. Punë e vazhdueshme duhet gjithashtu për të ulur numrin e kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Evropian dhe jam shumë i lumtur se sa të përkushtuara janë autoritetet shqiptare që të përmbushin këtë qëllim”, u shpreh komisioneri Avramapoulos.

Për kryeministrin Rama përfshirja e Frontex e afron më shumë Shqipërinë me Bashkimin Evropian, si kontributore në ruajtjen e sigurisë së kufijve.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në kuadrin e afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian sepse e bën Shqipërinë kontributore në sigurinë e kufijve me Bashkimin Evropian”, deklaroi kryeministri.

I pyetur nga mediat mbi kërkesën e Holandës për të rikthyer vizat për shqiptarët, komisioneri Avramopoulos tha se asnjë nga vendet anëtare nuk ka shprehur këtë shqetësim.

“Deri më sot nuk ka ardhur asnjë njoftim për pezullim të lëvizjes së lirë për asnjë vend, por nëse kjo ndodh më besoni që ne do të bëjmë një analizë të thellë të pretendimeve mbi të dhëna apo fakte për vendin x”, përfundoi Avramopoulos.

50 oficerë të shtetësive të ndryshme mbërritën këtë të martë në Tiranë dhe duke nisur që nga e mërkura do të dislokohen në tokën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2