Nis punën në Shqipëri misioni i Frontex, Rama: Duhet të tregohemi partner i besueshëm

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë zyrtare të nisjes së misionit të Frontex në Shqipëri, Kryeministri Rama tha se ky projekt është një ndihmë shumë e madhe, por edhe një sfidë prej të cilit vendi do të përfitojë edhe në aspekt të reputacionit në sytë e partnerëve europianë.

“Duhet të jemi një partner i besueshëm dhe një vend tërësisht i besueshëm edhe në aspektin e kësaj sfide të madhe europiane të përballimit me flukset migratore dhe emigracionin e paligjshëm. Nisja e zbatimit të një projekti, një marrëveshje që e bën Shqipërinë të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do të monitorojë kufirin e jashtëm bashkë me 50 trupa ndërkombëtare, përbën një arsye për të qenë të vetëdijshëm për të kuptuar sa e rëndësishme është të kemi sukses në këtë projekt”, tha Rama.

“Kjo e vendos Shqipërinë në një pozicion më të veçantë se sa deri më sot, qoftë në aspektin e dhënies së kontributit të vet, qoftë edhe në aspektin e përfitimit të drejtpërdrejt nga pjesëmarrja në këtë projekt. Marrëveshja i hap rrugë bashkëpunimit më të afërt për sa i përket shkëmbimit të informacionit, analizës së riskut dhe përballimit të flukseve migratore nga vende të treta”.

Rama shtoi se 6,7 herë më shumë emigrantë kanë hyrë në Shqipëri në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017, ndërsa 26,5% më shumë këtë vit, në periudhën janar-prill, krahasuar me 1 vit më parë. “Nuk jemi një vend ku ata që vijë shihen si rrezik apo si problem, për arsye të traditës sonë, por jemi një vend që jo shumë larg në kohë ka strehuar gjysmë milioni refugjatë lufte pa i kërkuar askujt, asgjë”, kujtoi Kryeministri.

Rama foli edhe për lëvizjet e shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian, duke vlerësuar uljen e numrit të emigrantëve të paligjshëm. “Na vjen mirë që emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve vazhdon të bjerë në mënyrë të ndjeshme dhe bazuar në raportin e Këshillit Europian shkruhet se në vitin 2018 e kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 27% më pak s enjë vit më parë. Ndërsa kërkesat për azil janë ulur me 46% krahasuar me 2017”, u shpreh ai.

Shkarkoni aplikacionin e A2