Procesi i Integrimit, ”Screening” mbyllet në dhjetor

Sokol Dedja, zëvendësministër i Jashtëm

Gjermania duket se do të kërkojë kohë për të marrë një mendim nga Parlamenti i saj për vendimin mbi çeljen e negociatave me Shqipërinë, çka duket se do të shtyjë për në shtator vendimin e Këshillit Europian. Megjithatë Shqipëria po vazhdon punën me atë që njihet si procesi “Screening”, ose përafrimi i legjislacionit të vendit tonë me atë të Bashkimit Europian.

“Kemi bërë takime për 22 kapituj deri tani dhe deri në fund të vitit do të mbyllen takimet për të gjithë 33 kapitujt e legjislacionit të Bashkimit Europian”, tha Sokol Dedja, zëvendësministër i Jashtëm.

Në përfundim të komitetit BE-Shqipëri, për monitorimin e asistencës financiare të Unionit, Dedja shtoi se shpreson që vendimi i vendeve anëtare për hapjen e negociatave me Shqipërinë të jetë objektiv dhe i pandikuar. Dedja theksoi se për të ndihmuar Shqipërinë në plotësimin e reformave BE i ka akorduar vendit tonë 650 milionë euro nga 2014-2020. “Arritjet po i ilustroj me shifra të prekshme. 1390 kilometra rrugë, 313 kilometra hekurudhë të rehabilituara, 600 shërbime publike online”, shtoi Dedja.

Instrumenti i Asistencës së Para-anëtarësimit synon reforma në kuadrin e sektorëve të paracaktuar te cilët mbulojnë fusha të lidhura ngushtë me strategjinë e zgjerimit, të tilla si demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit apo zhvillimi dhe konkurrenca.

Shkarkoni aplikacionin e A2