Protesta e studentëve, në rrethe janë të pavendosur dhe të paqartë

Pak orë para ditës së paralajmëruar nga studentët për të rinisur protestat e ndërprera në janar të këtij viti, një pjesë e mirë e tyre në Universitetet e rretheve janë të paqartë nëse do të protestojnë ose jo dhe mbi mënyrën se si.

Të pyetur nga A2 CNN, drejtuesit e këshillave studentore janë shprehur se disa ende nuk e kanë vendosur nëse do të protestojnë apo do të dërgojnë përfaqësi për protestën në Tiranë. Ndërsa të tjerë janë shprehur se nuk do të ketë asnjë lloj organizmi për protestë. Kështu Universiteti i Vlorës dhe i Durrësit nuk kanë asnjë organizim për protestë. Të dyzuar janë në Universitetin e Korçës, ku një pjesë e studentëve shprehen se do të protestojnë me bojkot, ndërsa të tjerë janë të mendimit të nisen drejt Tiranës. E njëjta frymë ishte edhe në Universitetin e Elbasanit. Ndërsa në Universitetin e Shkodrës janë shprehur të bindur se do të jenë pjesë e protestës, madje duke dërguar përfaqësi edhe në Tiranë.

Rinisja e protestave nga studentët bëhet për të njëjtat arsye për të cilat u mblodhën në protestat masive të dhjetorit të vitit të kaluar dhe se me gjithë premtimet, një pjesë e mirë e kërkesave të studentëve nuk janë plotësuar.

Shkarkoni aplikacionin e A2