Selenicë, sulmohet me breshëri plumbash banesa e punonjësit të bashkisë

Breshëri plumbash kanë tronditur qytezën e Selenicës, në rrethin e Vlorës. Mbi 30 plumba kallashnikovi janë derdhur mbi banesën e Xhulio Marës, 26 vjeç.

Në momentin e ngjarjes në banesë kanë qenë prindërit e 26-vjeçarit si dhe vëllai i tij binjak.

Fatmirësisht, nga plumbat nuk ka persona të lënduar, edhe pse disa prej tyre kanë prekur derën e banesës. Për policinë, Xhulio Mara nuk rezulton të jetë person me probleme apo me precedentë të mëparshëm penalë.

Ai është punonjës në Bashkinë e Selenicës në postin e shefit të Shërbimeve Publike. I kontaktuar nga A2 CNN, 26-vjeçari Mara është shprehur i shokuar nga ngjarja, duke deklaruar se nuk di kujt t’ia vërë gishtin për këtë sulm, pasi nuk ka as konflikte dhe as probleme të mbartura. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet si dhe ka mbledhur gëzhojat e plumbave në vendngjarje.

Shkarkoni aplikacionin e A2