Te Milani rikthehet numri 9

Ndërsa skuadra e Milanit është ende në ankth sa i përket objektivit Champions, te klubi kuqezi është rikthyer një numër 9, portugezi Andre Silva.

Ndoshta për drejtuesit kuqezinj dhe tifozët e Milanit sulmuesi portugez ishte një talent i humbur në nisje të sezonit, atëherë kur shpërtheu me golat e tij në La Liga dhe në Europa League me skuadrën e Sevilla-s ku ishte huazuar me të drejtë blerje.

Të gjithë menduan se aventura e portugezit te skuadra italiane kishte marrë fund dhe lojtari do të blihej nga skuadra spanjolle, por në fund nuk ndodhi kështu.

Pas 8 golave në 10 ndeshjet e para me Sevilla-s, sulmuesi pësoi një rënie të lirë duke u ndalur më pas nga një dëmtim në muajin prill, i cili vulosi edhe vendimin e skuadrës spanjolle për ta rikthyer te Milani.

Ky vendim është zyrtarizuar së fundmi me anë të një statusi të lojtarit në rrjetet sociale ku përshëndet Sevilla-n dhe bën të ditur rikthimin te Milani.

Tashmë kur kuqezinjtë janë në dilemë për sezonin e ardhshëm nëse do të marrin pjesë në Champions League, me skuadrën është bashkuar sërish edhe Andre Silva, i cili do të jetë në pritje për të mësuar fatin e tij nëse do të bëhet pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm apo do t’i duhet të “emigrojë” sërish.

Shkarkoni aplikacionin e A2