Basha: Largimi i Edi Ramës, i panegociueshëm, asnjë hap pas

Dy orë diferencë nga ftesa për dialog e Kryeministrit Rama, Lulzim Basha ishte me strukturat e PD në Durrës. Mbase letra ende nuk kishte shkuar në adresë të kryedemokratit. Përpos mesazheve të koduara, ai nuk foli për tryezë.

“Edi Rama na propozon që më 30 qershor ne të bëjmë sehir, ndërsa ai bën efektivisht një grusht shteti, një proces fals, zgjedhje false, ku 1.4 mln zgjedhësve iu kanë skaduar kartat e identitetit dhe ku regjistri i adresave është bërë lëmsh nga sejmenët e krimit.

Na propozon një proces të dalë jashtë rregullave të Kodit Zgjedhor, në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën dhe të kriminalizuar më shumë se zgjedhjet e vitit 2017 dhe ato të 2015-ës.”

Sipas Bashës, propozimi i Ramës, nënkupton kapitullimin para krimit.

“Me këtë propozim Rama i shërben vetëm karriges së tij, pushtetit të tij dhe kriminelëve që e sollën në pushtet dhe do të shkelë mbi dinjitetin e të gjithë shqiptarëve të ndershëm. Ky propozim i Ramës nënkupton kapitullimin para krimit”, deklaroi kreu i PD nga Durrësi.

Në fund të fjalës së tij, Lulzim Basha tha se alternativa tjetër është përballja përfundimtare deri në fitore.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN