BE, pas kritikave të Metës: EURALIUS, rol të rëndësishëm, nevojitet unitet

Delegacioni i BE në Tiranë ka reaguar pas kritikave të Presidentit Ilir Meta ndaj Euralius për punën e tij në reformën në drejtësi dhe bllokimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në reagimin e delegacionit të BE thuhet se ndihma e Euralius ka qenë e domosdoshme për të çuar përpara reformat.

 “Kemi vërejtur kritika për punën e projektit të asistencës teknike të financuar nga BE për sektorin e drejtësisë Euralius. Profesionalizimi, puna e madhe dhe integriteti i Euralius janë për t’u lavdëruar, ndihma e tyre është provuar e domosdoshme për të çuar përpara axhendën e reformave.

Duke punuar ngushtësisht me partnerë të tjerë si OPDAT, ekspertë nga shtetet e tjera anëtare të BE, dhe shërbimet e Komisionit Evropian. Kjo mbështetje është kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe roli monitorues i Komisionit dhe i SHBA u miratua njëzëri nga Kuvendi në kohën e adoptimit të amendamenteve kushtetuese. Reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe legjislacioni kombëtar përkatës. Ky është një proces kompleks, por reforma është në rrugën e duhur dhe është me rëndësi që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë. Sa i përket veçanërisht krijimit të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që është e rëndësishme që sapo të përfundojnë zgjedhjet dhe klasifikimi nga KED, të gjitha instituciuonet kompetente, duke përfshirë dhe Presidencën e Republikës, të sigurojnë që kandidatët të zgjidhen me prioritet.

Ne jemi të bindur se një detyrë e tillë do të ndiqet plotësisht dhe në kohën e duhur”, shkruhet në reagimin e BE.

Më tej delegacioni i BE-së thotë që reforma në drejtësi dhe procesi i integrimit duhet të jenë prioritet për çdo politikan.

“Reforma e drejtësisë dhe integrimi i Shqipërisë duhet të jenë një prioritet për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve. BE do të vazhdojë mbështetjen e saj për procesin e reformave dhe do të sigurojë monitorimin e duhur të standardeve në bashkëpunim të ngushtë me SHBA”, mbyllet reagimi i Delegacionit të BE në Tiranë.

Shkarkoni aplikacionin e A2