Pasojat e krizës politike, Gërxhani: Turistët të trembur, janë anuluar ture

Kliton Gërxhani, kryetar i Tur Operatorëve, i ftuar në “A2 Business Week”, teksa foli për ndikimin e krizës politike në ekonomi, u shpreh se kjo është ndjerë me anulimin e tureve ende pa nisur sezoni i verës.

Më tej, ai thotë se “po presim me dorë në zemër” nisjen e plazhit, pasi kriza është ende duke vazhduar.

“Kriza është politike dhe jo ekonomike. Ekonomia ka një rritje të logjikshme të një vendi ballkanik të dalë nga komunizmi. Ajo që po na pengon të ecim me ritme edhe më të shpejta është politika që futet një herë në dy apo 4 vjet. Kjo po kthehet në kronike.

Turizmi me numra të konsiderueshëm ka filluar nga marsi dhe për fat të keq, kemi pasur anulime të tureve të caktuara kulturore dhe tani po e presim me dorë në zemër plazhin, i cili fillon në volum në mes të qershorit dhe patjetër që është në varësi të situatës që do të kemi. Kemi pasur anulime nga turistë nga shtetet perëndimore dhe kryesisht nga tregu italian që është një treg shumë i rëndësishëm për ne. Ata kanë qenë më të ndjeshmit”, tha Kliton Gërxhani.

Shkarkoni aplikacionin e A2