
Plani i ri për Brexit-in, kritika të forta për kryeministren May
Plani i ri i kryeministres britanike Theresa May për Brexit-in është pasuar nga kritika të forta.
Sekretari në hije për largimin nga BE, Keir Starmer tha se oferta e shefes së qeverisë është shumë e dobët. Lideri i opozitës Laburiste, Jeremy Corbin u shpreh qartë se nuk do ta mbështesë propozimin e kryeministres.
May do të prezantojë planin e saj më vonë në Parlament, ndërsa më herët tha se në të përfshihet dhe votimi në Dhomën e Komunëve për mbajtjen e një referendumi të dytë.
Që kjo të ndodhë, kryeministrja kërkoi fillimisht aprovimin e ujdisë së saj për Brexit. May tha se ky është shansi i fundit për të përmbyllur divorcin me BE. Në të kundërt, ajo paralajmëroi Brexit pa ujdi ose anulim të largimit nga Unioni.