Ruçi: Për europianët, braktisja e zgjedhjeve është e pakonceptueshme

Nga Holanda, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se nga turi i vizitave që ka kryer delegacioni parlamentar shqiptar në shtete të ndryshme të Europës, në prag të vendimit për çeljen e negociatave, fitojnë të gjitha palët. “Ne fitojmë duke sqaruar edhe ndonjë skepticizëm, edhe ndonjë paqartësi mbi arritjet tona, por edhe partnerët tanë që kanë përgjegjësi për ratifikimin e rekomandimit të Këshillit Europian”, u shpreh Ruçi për mediat. “Kemi kontaktuar me Bundestagun gjerman, Senatin italian, me atë austriak dhe sot jemi në Holandë. Kemi zhvilluar edhe takime bilaterale me Parlamentin francez, parlamentet skandinave dhe pas dy javësh do të kontaktojmë Çekinë. Këtu mbyllim të gjithë programin që Kuvendi ka bërë në kuadër të diplomacisë me objektiv hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”.

Kreu i Kuvendit shtoi se delegacioni ka paraqitur para Parlamentit holandez arritjet e Shqipërisë në 5 prioritetet kyçe që ka pasur si detyrë, si Reforma në Drejtësi, lufta kundër krimit, lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit duke përfshirë çështjen e pronave, si dhe reforma zgjedhore. “Pavarësisht nga jehona mediatike që Holanda është vend skeptik, patëm mirëkuptim nga bashkëbiseduesit holandezë, ata po presin rekomandimin e Këshillit Europian dhe në fund do të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me pozicionin e Holandës për hapjen e negociatave”, tha ai.

I pyetur në lidhje me qëndrimin e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të mos marrë pjesë dhe për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, Ruçi u përgjigj: “Unë jam kryetar i Parlamentit dhe për mua ka vetëm një opozitë, ajo parlamentare. Dhe pavarësisht nga qëndrimin opozitar i zonjës Hajdari, shprehu se në raport me hapjen e negociatave, parësore janë interesat e vendit. Nuk më ka pyetur njeri nëse zgjedhjet do të mbahen apo jo, pasi për europianët braktisja e zgjedhjeve është e pakonceptueshme”.

Të shtunën opozita ka njoftuar për një tjetër protestë, por për Ruçin kjo nuk është mënyra që mund të rrëzohet Qeveria. “Shqipëria ka një Qeveri, Parlament dhe një maxhorancë dhe i vetmi mekanizëm për ta lëvizur këtë maxhorancë, është ose mocioni i mosbesimit ose zgjedhjet”.

Në protestën e fundit, iu vu flaka edhe zyrës së kreut të Kuvendit dhe për këtë, Ruçi u shpreh: “Ka pasur raste që kam qenë në zyrën time, nuk jam ndjerë fare i rrezikuar”.

Shkarkoni aplikacionin e A2