Tjetër goditje për gjigantin kinez, Huawei mbetet pa procesor

Pas kufizimeve nga sistemi operativ android, Huawei mbetet dhe pa procesor. Kompania ARM me bazë në Britaninë e Madhe i kërkoi stafit ligjor që të pezullojë të gjitha bashkëpunimet me kompaninë kineze që prodhon kryesisht smartfonë.

 Kjo raportohet nga BBC, që citon një dokument të brendshëm të ARM. Ky vendim kundër Huawei erdhi për të respektuar rregullat e fundit tregtare të Shteteve të Bashkuara. ARM krijon shumicën e procesorëve të të gjithë telefonave në planet.

Analistët e cilësojnë këtë vendim, një goditje shumë të rëndë për Huawei. Megjithatë këto zhvillime nuk i frikësojnë klientët.

 “Mendoj se SHBA shqetësohet nga përparimi i vendeve, kompanive dhe produkteve të shteteve të tjera dhe e kuptoj këtë. Por tregu duhet të menaxhohet dhe rregullohet vetë. Përdorimi i një mase kaq të fuqishme nga shtetet në dëm të këtyre kompanive, duke detyruar dhe vendosjen e sanksioneve, mendoj se është e padrejtë”, thotë Shen Qidi, një klient kinez.  

 “Kam instaluar aplikacionet e Google në telefonin tim, megjithatë i përdor shumë rrallë. Vëmendja ime nuk shkon atje dhe nuk më interesojnë këto aplikacione”, thotë Linda Lin, një kliente tjetër.

Pavarësisht presionit dhe masave ndëshkuese të Shteteve të Bashkuara, Huawei prezantoi modelin e fundit Honor 20 pro. Por zyrtarët e gjigandit kinez nuk përmendën këtë herë sistemin Android.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN