Ish-ministrja e Macron: Negociatat nuk hapen, Franca nuk ka ndryshuar qëndrim

Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor presin me ankth progres raportin për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, një goditje e fortë vjen nga Franca.

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme në qeverinë e Macron i mbyll derën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave në muajin qershor.

Në një intervistë të dhënë për RTL, ish ministrja Nathalie Loiseau tha se Franca nuk ka ndryshuar qëndrim për hapjen e negociatave.

Ish ministrja franceze e Punëve të Jashtme,
Nathalie Loiseau

“Nuk do të ketë hapje negociatash mes BE dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në qershor. Në Francë nuk kemi ndryshuar qëndrim dhe do të vazhdojmë ta mbajmë atë. Vendet e Ballkanit janë gjeografikisht në Evropë dhe duhen ndihmuar, por për çështjen e zgjerimit përgjigjja është JO”, tha
Loiseau.

Në intervistën për RTL, ish-diplomatja merr të gjithë përgjegjësinë për vendimin e liderëve të BE në vitin 2018, ku u shty hapja e negociatave.

“Ajo që bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut isha unë, kur mbaja postin e ministres. Çështja e zgjerimit vendoset me votë unanime dhe vitin e shkuar kalova 8 orë për t’iu shpjeguar homologëve të BE që isha kundër, në përputhje të plotë me presidentin Emmanuel Macron”, nënvizoi ish ministrja Loiseau, e cila beson që dyert e BE do të mbeten të mbyllura për Tiranën dhe Shkupin edhe në samitin e ardhshëm në Qershor të liderëve të BE.

Shkarkoni aplikacionin e A2