
Kur mendojmë se kemi zbuluar gjithçka nga planeti ynë, shkenca na tregon të kundërtën.
Një grup shkencëtarësh francez ka zbuluar në disa minerale në zonën veriore të Kanadasë, pjesërisht e mbuluar me akull, një krijesë mikroskopike që me shumë gjasa është më e vjetra e zbuluar ndonjëherë.
Zbulimi i rëndësishëm, i botuar në revistën prestigjioze Nature, ndodhi pasi shkencëtarët gërryen me acid disa nga këto minerale, duke çliruar disa fragmente të një lloj krijese e ngjashme me kategorinë e kërpudhave (Fungi).
Por është përcaktimi i lashtësisë së krijesës, të cilës i është dhënë emri Ourasphaira giraldae, që ka shokuar hulumtuesit. Ajo shkon nga një periudhë 900 milion vitesh, deri në një miliard.
Pra, edhe në versionin më konservator, rreth 500 milion vjet para epokës që deri më tani shkenca poziciononte kërpudhat.
Kërpudha u gjet në një vend që në atë kohë duhet të përfaqësonte një zonë bregdetare, fakt ky që mund të shndërrojë Ourasphaira giraldae në organizmin e parë shumëqelizor që nga uji fillojë “pushtimin” e tokës.