Nga Conte te Guardiola, emrat për stolin e Juventusit

Emri i ri që do të konfirmohet në stolin e Juventusit është pikëpyetja më e madhe në Evropë pak ditë nga nisja zyrtarisht e merkatos verore.

Pas sfumimit të Antonio Contes që tashmë është më pranë Interit, Juventusi nisi kontaktet me Maurizio Sarrin, trajnerin aktual të Çelsit. Ky i fundit ka rritur presionin në klubin londinez duke kërkuar konfirmim të menjëhershëm ose largim.

Pikërisht për këtë çështje është nisur orët e fundit drejt Anglisë edhe drejtori sportiv i Juventus, Fabio Paratici. Pak ditë më parë u përfol edhe për Didie Deshamp, por tekniku francez u shpreh se fokusi i tij është vetëm te kampionët e botës.

Nga ana tjetër, Cristiano Ronaldo i ka sugjeruar drejtuesve të Zonjës emrin e Jose Mourinhos si i duhuri për të përmbushur misionin e Champions, por trajneri portugez është i padëshiruar nga tifozët, për më tepër edhe vetë krerët e Juventusit nuk ka kanë konsiderata të mira për të.

Zërat më të fundit i çojnë kampionët e Italisë tek strategu Pep Guardiola. Edhe pse ky i fundit sapo është shpallur kampion me Manchester City dhe ka fituar Kupën, mediat në Itali theksojnë se Juventusi ka arritur akordin me spanjollin që do të firmosë në datën 4 qershor. Interesant është edhe fakti që 10 ditë më vonë dyert e stadiumit dhe muzeu i klubit nuk do të jenë të disponueshëm për publikun, duke shtuar mundësitë që 14 qershori të jetë pikërisht dita e prezantimit e Guardiolës, megjithatë deri më tani gjithçka mbetet në kuadrin e spekulimeve.

Shkarkoni aplikacionin e A2