
Akuzohen për krime lufte, por Trump mund t’i falë disa ushtarë amerikanë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump është duke konsideruar mundësinë për të falur 2 ose 3 ushtarë të akuzuar për krime lufte, një lëvizje që do të hapë diskutime, por që sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë është e justifikuar, pasi këta ushtarë janë trajtuar padrejtësisht.
Presidenti Trump i njoftoi gazetarët se ende nuk ka vendosur për rastet që do të falë dhe shtoi se do të presë që trupat e akuzuara për krime lufte të dalin para gjykatës.
“Disa nga këta ushtarë janë njerëz që kanë luftuar fort dhe për një kohë të gjatë. Dhe siç e dini, ne i kemi mësuar se si të jenë luftëtarë të mëdhenj”, tha presidenti Trump.
Mediat kanë raportuar më parë se kreu i Shtëpisë së Bardhë ka kërkuar që dosjet për faljen e mundshme të ushtarakëve të përgatiten para Ditës së të Rënëve, që përkon me këtë të hënë.
Një nga rastet që mendohet të shqyrtohet për falje nga presidenti mendohet të jetë dhe ai i shefit të operacioneve speciale Edward Gallagher, një anëtar i dekoruar Navy SEAL, i cili është akuzuar për krime lufte në Irak.