Alfred Peza: Krimet elektorale, më të rëndat që mund të bëhen – A2

Alfred Peza: Krimet elektorale, më të rëndat që mund të bëhen

Alfred Peza, Sekretar për Mediat në Partinë Socialiste, është i bindur se zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen pa problem, pasi, sipas tij, “nuk ka aq budallenj që të shkojnë në burg për të cenuar legjitimitetin e procesit”.

“Krimet elektorale në demokraci janë nga krimet më të rënda që mund të bëhen, për shkak se shenjtëria e zgjedhjeve demokratike është më e madhja”, theksoi Peza në emisionin “Dita Jonë”, në A2 CNN.

Në lidhje me ofertën për dialog të kryeministrit Edi Rama ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Peza nënvizoi se “oferta për dialog e kryeministrit është në tryezë dhe dora është e shtrirë çdo ditë”.

Sipas Sekretarit për Mediat në Partinë Socialiste, opozita nuk hyn në zgjedhje pasi e di që i ka të humbura ato: “Pasi humbën zgjedhjet e 2015 dhe 2017, e dinin që do të ishte humbja e tretë dhe në këto kushte po bëjnë lojën e strucit, pasi mendojnë se nëse nuk hyjnë, nuk quhet që kanë humbur zgjedhjet”.

Në lidhje me mundësinë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Peza u shpreh: “30 qershorin e ka vendosur Presidenti i Republikës. Nëse Kreu i Shtetit që e ka dekretuar këtë datë mund ta shtyjë, jemi të hapur. Nga ana jonë nuk e negociojmë 30 qershorin, por ata që e kanë në dorë mund të ulen të diskutojnë, nëse do të ulen ndonjëherë. Ka një problem të madh me opozitën, e cila kundër këshillave të partnerëve tanë gjermanë, thotë që nuk ulemi në dialog me Edi Ramën. Sali Berisha vazhdon t’i qëndrojë vijës së kuqe që i ka vendosur opozitës duke thënë që ose largohet Edi Rama ose shkrihet opozita. Dhe nuk besoj se Lulzim Basha ka guxim ta shkelë këtë vijë të kuqe”.

Shkarkoni aplikacionin e A2