
Britania ndjen keqardhje për May
Lotët e kryeministres britanike Theresa May, prekën jo vetëm qytetarët, por edhe politikanët e këtij vendi.
Të shumta ishin mesazhet ngushëlluese për shefen e qeverisë, veçanërisht nga ata që kërkonin me ngulm dorëheqjen e saj.
“Deklaratë shumë dinjitoze nga Theresa May. Faleminderit për shërbimin tënd stoik për vendin dhe Partinë Konservatore”, shkruan në Twitter Boris Johnson, i cili kryeson listën e kandidatëve potencialë për zëvendësimin e saj.
Ndërsa lideri i opozitës Laburiste, Jeremy Corbyn, thekson se vetëm tani May kuptoi atë që duhej të bënte prej muajsh. Sipas tij, lideri i ri i konservatorëve duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Po qytetarët, çfarë mendojnë?
“Më vjen shumë keq për të, pasi pati një mandat shumë të vështirë. Për fat të keq, Boris Johnson mund të jetë kryeministri i ri. Ajo humbi betejën muaj përpara. Thjesht po tregohej jorealiste. Mbase e kishte bindur veten për këtë. Mendoj se ajo është ndër zonjat më të guximshme dhe më të mrekullueshme që do të njihni. Ajo ka kaluar shumë dhe tani ne do të kemi një lider tjetër që nuk do të ndryshojë asgjë. Ne kemi akoma problemin Brexit për të zgjidhur”, thonë anglezët.