Data e zgjedhjeve, opsionet e Presidentit dhe nevoja për konsensus

Motivi pse Presidenti Meta kërkon dakordësinë e palëve për të shtyrë datën e zgjedhjeve është i lidhur ngushtë me kufizimet ligjore në të cilat e kanë vendosur atë Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.

Libri themeltar i shtetit sanksionon se mandati i të zgjedhurve në pushtetin vendor është 4-vjeçar. Ai ka filluar më 10 gusht 2015, kur KQZ shpërndau zyrtarisht mandatet dhe përfundon më 10 gusht të këtij viti. Pikërisht kjo datë përbën një prej barrierave për sa i përket datës së zgjedhjeve. Nga ana tjetër, Kodi Zgjedhor përcakton qartë se zgjedhjet në Shqipëri mbahen në dy periudha. Atë nga 15 marsi deri më 30 qershor, si dhe nga 15 shtatori më 30 nëntor. Data e dekretuar nga vetë Presidenti Meta është në limitin e fundit të periudhës së parë zgjedhore. Kjo përbën edhe barrierën e dytë ligjore që ka përpara Presidenti Meta, pasi kapërcimi në periudhën e dytë zgjedhore, atë të vjeshtës, do të sillte shkeljen e 10 gushtit dhe limitit kushtetues të mandatit 4-vjeçar për kryebashkiakët.

Për këto arsye Presidenti kërkon dakordësi politike, përmes vullnetit të së cilës mund të ndryshohet Kodi Zgjedhor. Një dispozitë tranzitore do të mundësonte shtyrjen e periudhës aktuale zgjedhore, apo edhe injorimin e saj. Kështu do të mund të kishim zgjedhje edhe në korrik, me mundësinë e fundit të dielën e datës 28. Kjo do të mundësonte shtyrjen e datës së zgjedhjeve pa shkelur Kushtetutën, gjithnjë nëse aktorët me vullnet politik nuk vendosin ta injorojnë edhe atë.

Shkarkoni aplikacionin e A2