Halimi: Presidenti duhet të zgjedhë 3 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese

Eduart Halimi, avokat dhe ekspert i çështjeve të drejtësisë, deklaroi në studion e “Ditari”në A2 CNN se Presidenti duhet të ndërhyjë për të ushtruar kompetencat kushtetuese në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

“Presidenti është aktor kushtetues në krijimin e institucioneve. Duhet të zgjedhë 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Duhet ta kishte thënë dje dhe ta thotë sot pse nuk i zgjedh. Unë si jurist e kuptoj që ai nuk i zgjedh dot sepse duhet që të vijnë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, por nuk i bëjnë mirë procesit retorikat se kush e ka fajin. Presidenti duhet të thotë jo vetëm ato që ka thënë, por të thotë pse nuk i zgjedh 3 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”, shpjegoi Halimi.

Më tej, Halimi nënvizoi se është e domosdoshme që Vetting-u të ecë me ritme më të larta: “Duhet të ketë transparencë për qytetarët, nuk mund të thuhet thjesht se u bllokuan gjykatat. Kolapsit duhet t’i paraprihej që të mos zgjaste kaq shumë. Vetting-u është shumë i rëndësishëm për gjyqësorin dhe duhej të bëhej, por nuk mund të presim 10 vjet. Vetting-u duhet të ecë shpejt. Vetting-u mund të përfundojë më shpejt duke rritur kapacitetet njerëzore. Aktorët ndërkombëtarë duhet të bëjnë presion mbi qeverinë që të rriten këto kapacitete”.

Shkarkoni aplikacionin e A2