Meta: Jam gati të rishikoj datën e zgjedhjeve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shprehu gadishmërinë e tij që të rishikojë “Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike”.

“Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve. U bëj edhe një herë thirrje palëve, të ndalojnë retorikat si reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit Gjerman”, theksoi Meta në një deklaratë për shtyp.

Në përgjigje të thirrjes së Unionit Kristiandemokrat dhe Kristiansocial (CDU/CSU) për gjetjen e një kompromisi, Meta, teksa apelon palët për të lënë retorikat mënjanë e për t’u angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje, përsërit deklaratën e bërë nga Pogradeci.

“Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qyetetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë. Askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shkruan Meta.

Shkarkoni aplikacionin e A2