Ministrja Spiropali: Kohës për dialog me opozitën po i vjen fundi

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, bën me dije se mbeten dhe pak ditë që mazhoranca dhe opozita të ulen në dialog para se të fillojë fushata për zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas Spiropalit, kryeministri ka 3 herë që dërgon ftesën për dialog dhe ka hasur në thirrjet për luftë të opozitës.

“Koha për dialog po mbaron dhe fushata e zgjedhjeve është pak ditë larg, si të duan, ne jemi dhe pak ditë në dispozicion të dialogut. Kush nuk e ka kuptuar akoma pse kjo betejë kundër zgjedhjeve, është në thelb betejë e frikës së Lulzim Bashës nga humbja dhe betejë e frikës së Saliut, dhe jo vetëm, nga drejtësia.

Kryeministri ka 3 ditë resht që publikon me shkrim ftesën për dialog pa kushte, por Saliu dhe të paudhët e tij u bien të njëjtave daulleve lufte frontale duke bërë sikur ajo kryefjalë nuk ekziston”, u shpreh Spiropali.

Në mesazhin e saj, zëdhënësja e Qeverisë, mes të tjerash tha dhe se partnerët politikë të PD në Gjermani kërkuan dialog pa kushte mes palëve.

“Deklarata e CDU-CSU u keqpërdor si deklaratë e parlamentit gjerman për të shtyrë datën e zgjedhjeve, ndërkohë që ata, miq të Shqipërisë dhe partnerë politikë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kryefjalën e tyre e kanë prej ditësh dialogun pa kushte”, shtoi ministrja Spiropali.

Shkarkoni aplikacionin e A2