ONM mbron Vetting-un dhe reformën. Calavera: Disa kanë frikë, sulmet të papranueshme

Ka kaluar më shumë se një vit nga nisja e vetting-ut në sistemin e drejtësisë dhe shefja e operacionit ndërkombëtar që monitoron këtë proces bën bilancin. Përballë kritikave që nuk kanë kursyer as vetë ONM-në, Genoveva Ruiz Calavera mbron punën e bërë deri tani.

“Vetting-u është një proces kompleks dhe çdo dosje e veçantë, që përfshin me mijëra faqe, është e ndryshme nga tjetra. Ka nuanca dhe aspekte të të tria shtyllave të vlerësimit që mund të çojnë në konkluzione të ndryshme për shkaqe që duken të ngjashme. Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së i kanë monitoruar vendimet e institucioneve të vetting-ut në të gjitha nivelet. Gjatë 6 muajve të fundit, ONM ka marrë përafërsisht 250 denoncime nga individë, ndërmarrje private, OJQ dhe institucione publike. Kjo gatishmëri për të kontribuar tregon se qytetarët besojnë se vetting-u po shkon në drejtimin e duhur për t’iu përgjigjur aspiratave legjitime publike”, tha Calavera. 

Pak ditë më parë, Presidenti Ilir Meta përdori mungesën e Gjykatës Kushtetuese si argument për ta quajtur indirekt të dështuar Reformën në Drejtësi. Për këtë vakum në krye të gjyqësorit flet edhe Calavera në editorialin që mban firmën e saj, ndonëse qasja është komplet tjetër: “Mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese ka qenë, sigurisht, një çmim shumë i lartë për t’u paguar për tranzicionin. Nuk duhet të habitemi që procesi i rivlerësimit ka pasur implikime dhe pasoja në gjyqësor në të gjitha nivelet. Megjithatë, procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve është në vazhdim dhe ky tranzicion do të përfundojë së shpejti”. 

Shefja e ONM i quan të papranueshme sulmet ndaj vetting-ut dhe reformës, ndërsa flet për njerëz që i frikësohen asaj: “Duke pasur parasysh interesin e lartë publik, është e rëndësishme të sigurohet monitorimi nga afër i procesit dhe të kontribuohet në mënyrë konstruktive në progresin e tij. Megjithatë, kjo nuk justifikon sulmin ndaj procesit në kushte të padrejta dhe të papranueshme, duke përfshirë edhe rastet kur i drejtohet personalisht anëtarëve individual të institucioneve të vetting-ut. Disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dhe të jenë të gatshëm ta pengojnë atë, por kjo nuk mund të lejohet”. 

Institucionet e reja të reformes do të jenë shpejt funksionale, garanton Calavera, ndërsa thekson se muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë.

Shkarkoni aplikacionin e A2