Raporti: Bashkitë, jo autonome. Pak shërbime për qytetarët

Kur kanë kaluar mbi 4 vjet nga Reforma Administrative territoriale, bashkitë e vendit janë shumë larg autonomisë së synuar.

Sipas raportit mbi qeverisjen vendore në Shqipëri, përgatitur nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, bashkitë janë thellësisht të varura nga financat qendrore.

Burimet e pamjaftueshme financiare, niveli shumë i ulët i tranfertës së pakushtëzuar, thënë ndryshe fondet që marrin nga qeveria, por edhe klima politike, shpërndarja e fondeve dhe mungesa e përgatitjes së të zgjedhurve vendorë janë disa nga arsyet që ndikojnë në mospërmirësimin e shërbimeve për qytetarin.

Janë veçanërisht zonat periferike larg qendrës së bashkisë që nuk përfitojnë shërbime. Në këtë kuadër, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë propozon që në të ardhmen t’u lejohet bashkive të krijojnë njësi shërbimi që të operojnë më vete, pa varësi nga bashkia qendër.

Raporti evidenton se një ndër problemet që përballet pushteti vendor është infrastruktura dhe mirëmbajtja e rrugëve rurale, veçanërisht ato bashki me një territor më të madh dhe të ardhura të pakta.

Po ashtu, pushteti vendor po has vështirësi dhe pengesa në zbatimin e funksioneve të tjera të shtuara pas reformës, si shërbimet sociale, arsimi, menaxhimi i pyjeve dhe kullotave si dhe vaditja dhe kullimi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN