Basha: Rruga e Shqipërisë kalon përmes zgjidhjes europiane

Në fjalën e tij përballë qytetarëve në protestën e gjashtë të opozitës, Lulzim Basha, ndër të tjera tha se rruga e Shqipërisë kalon vetëm përmes zgjidhjeve europiane, ndërsa theksoi se zgjidhjet europiane diktojnë largimin e Ramës.

“Ju kërkoj të vazhdojmë të jemi të gatshëm për të qëndruar kështu në çdo ditë në javët e ardhshme për të qëndruar kështu, të vetëdijshëm dhe shpresëplotë se zëri juaj është dëgjuar. Mirënjohës për partnerët tanë që e dinë se rruga e Shqipërisë kalon vetëm përmes normave, parimeve, standardeve dhe zgjidhjeve europiane. Zgjidhjet europiane diktojnë largimin e shkaktarit të kësaj krize si hapi që hap dialogun dhe i mundëson këtij vendi të përqafojë ëndrrën e tij shekullore për Shqipërinë si gjithë Europa. Ky mesazh është mesazhi i popullit të Shqipërisë. Ky mesazh është shansi për zgjidhjen politike të krizës. Mjerë kush e lexon si shenjë dobësie. Kurrë nuk kemi qenë më të fortë!”, tha Basha.  

Kreu demokrat përsëriti edhe njëherë se zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë.  “Vetëm nga bashkimi juaj, qëndresës suaj, sot jemi bashkë më të vendosur se kurrë. Për herë të parë që nga nisja e kësaj proteste, zëri juaj u dëgjua, nuk do të ketë asnjë fund tjetër përveç largimit të qeverisë së krimit.

Mjerë ai që nuk ka vesh e nuk dëgjon. E dëgjoi e gjithë bota se zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë”, tha Basha. Më tej, Basha përmendi edhe emrat e disa prej kandidatëve të PS në zgjedhjet e 30 qershorit duke thënë se Rama ka vendosur sërish në kandidim persona të lidhur me krimin. “Pjerin Ndreu, Dionis Imeraj, Valbona Sako, janë të përfshirë, pjesëmarrës në skemën e shitblerjes së votave. Siç është Agron Malaj në Burrel, siç është Arbana në Shijak, pjesëtarë i bandës së Avdylajve. Për pushtetin e tij, pasurinë e tij, do që më 30 qershor t’i gradojë bashkë me bashkëpunëtorët e tyre dhe përfundimisht të vendosë zgjedhën e krimit në Shqipëri”, tha Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2