Mbyllet protesta e opozitës, Basha: Koha për zgjidhje politike

Ndiqni “live” në A2 CNN protestën e 6 të opozitës

21:30 – Mbyllet protesta e opozitës pas gati 2 orë e 30 minuta, me një mesazh nga ana e kreut të PD, Basha, “mirë u takofshim në protestat e ardhshme”. Një mesazh që lë të kuptohet se pavarësisht përpjekjeve të ditëve të fundit dhe thirrjeve gjithnjë e më të shpeshta të ndërkombëtarëve për një dialog mes palëve, protestat nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesës kryesore të opozitës, dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. “Kurrë nuk do të pranoj pushtet në tavolinë me Edi Ramën”, u tha Basha protestuesve të mbledhur para selisë së PD.

21:17 – Nga selia e Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se tani ka ardhur koha për zgjidhjen politike të krizës.

“Çdo ditë e më shumë protestat tona bëhen edhe më të mëdha. Mesazhi ynë është i qartë: Ne jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë. Ne jemi popull i Europës dhe nuk do të pranojmë kurrë despotizmin anti-europian të një qeverie banditësh dhe kriminelësh të cilët kanë marrë peng vendin, kanë kapur drejtësinë dhe kanë bllokuar rrugëtimin tonë drejt Europës. Ne sot japim këtë mesazh të qartë e të vendosur. Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhjen politike dhe largimin e Edi Ramës, qeverisë transitore, zgjedhjeve të lira e të ndershme”.

21:08 – Protestuesit kanë nisur të hedhin gurë drejt Parlamentit, pavarësisht thirrjes së sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi për të mos e bërë ketë. Disa persona kanë shkulur pllaka nga trotuari para Parlamentit dhe po i hedhin përtej gardhit rrethues të Kuvendit.

21:00 – Kanë nisur hedhjet e para të tymueseve dhe fishekzjarrëve në drejtim të forcave të policisë që rrethojnë godinën e Parlamentit, ndërsa janë afruar edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë për të qenë gati për çdo përshkallëzim. Protestuesit janë futur brenda territorit të Parlamentit, çka ka bërë që policia të hedhë ujë në drejtim të tyre, ndërsa ka bërë thirrje për të mos goditur forcat e rendit.

20:55 – Protestuesit e parë kanë mbërritur para selisë së Parlamentit, me flamuj kombëtarë por edhe amerikanë në duar. Aty ka mbërritur edhe kreu i PD, Basha, i rrethuar nga mbështetës të tij. Situata është e qetë, në një zonë ku përgjatë gjithë këtyre muajve kanë ndodhur edhe përplasjet më të mëdha mes protestuesve dhe forcave të rendit.

20:33 Në fjalën e tij përballë qytetarëve në protestën e gjashtë të opozitës, Lulzim Basha, ndër të tjera tha se rruga jonë kalon vetëm përmes zgjidhjeve europiane, ndërsa theksoi se zgjidhjet europiane diktojnë largimin e Ramës.

“Ju kërkoj të vazhdojmë të jemi të gatshëm për të qëndruar kështu, të vetëdijshëm dhe shpresëplotë se zëri juaj është dëgjuar. Mirënjohës për partnerët tanë se e dinë se rruga jonë kalon vetëm përmes zgjidhjeve europiane. Zgjidhjet europiane diktojnë largimin e shkaktarit që ka vrarë ëndrrat e këtij vendi. Javët e ardhshme janë vendimtare për 15 vitet që vijnë”, u shpreh Basha.

Me dritat e celularëve ndezur, protestuesit kanë nisur marshimin drejt Parlamentit.

20:00 – Me të mbërritur para Kryeministrisë, kreu i PD, Lulzim Basha u ngjit në podium për të folur para njerëzve. “Një tubim madhështor që do të shërbejë për fitimin e betejës sonë kombëtare për Shqipërinë si gjithë Europa”, e përshkroi ai protestën e kësaj të shtune.

“Këtë shesh e ka pushtuar si asnjëherë tjetër oqeani i pandalshëm i sovranit. Të gjithë shohin sot shpresën e një kombi të ngritur në këmbë për të mos u ulur kurrë. Është mbushur ky shesh me kurajo, vendosmëri, me një mesazh të prerë dhe të vendosur: Rama ik”.

Klikoni këtu për fjalën e plotë të kreut të PD, Basha.

19:50 – Kreu i Partia Demokratike, Lulzim Basha, i është bashkuar protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë. Në këto momente nisën edhe hedhjet e tymueseve dhe kapsollave të para, por për momentin nuk ka pasur asnjë rast tensionimi apo përballje me kordonin policor të formuar para selisë së Kryeministrisë.

19:43 – Lulzim Basha del nga selia e PD dhe i drejtohet Kryeministrisë, ku e presin protestuesit

19:09 – “Tepsi të mbushura me euro”, Këlliçi zbulon detaje nga protesta

18:15 – PD: Mbi 60 mijë qytetarë janë nisur nga 11 qarqe, presion nga policia

Partia Demokratike thotë se protesta e sotme pritet të jetë madhështore në numra, ndërsa thotë se ka pasur presione të policisë, ndalime të protestuesve dhe gjoba ndaj autobusëve.

Megjithatë, PD thotë se janë nisur më shumë se 60 mijë qytetarë nga 11 qarqe të vendit drejt Tiranës.

Qytetarët e nisur nga 11 qarqe drejt Tiranës sipas PD

Qarku Shkodër – 9450 qytetarë

Qarku Lezhe – 7300 qytetarë

Qarku Kukës – 3800 qytetarë

Qarku Dibër – 3500 qytetarë

Qarku Durrës – 9800 qytetarë

Qarku Elbasan – 8100 qytetarë

Qarku Berat – 3000 qytetarë

Qarku Fier – 5600 qytetarë

Qarku Vlorë – 5000 qytetarë

Qarku Gjirokastër – 2200 qytetarë

Qarku Korçe – 4700 qytetarë

***

Opozita jashtë parlamentit do të mbajë ditën e sotme protestën e gjashtë kombëtare, nga ku mësohet se PD ka kërkuar leje për një protestë marshim, si ajo e 13 majit.

Në anën tjetër, A2 CNN ka mësuar se policia ka dhënë leje që protesta të zgjasë nga ora 19:00 deri në orën 21:00, ndërsa PD nuk ka dhënë orar. Të angazhuar në terren do të jenë rreth 1400 forca policore.

Ndërkohë, pak orë para protestës, bulevardi para zyrës së Edi Ramës përjetonte qetësinë e orëve të paradites së një të shtune.

Prezenca policore ishte e pakët. Çfarë njoftonte pritjen një proteste ishte gardhi metalik përgjatë trotuarit që rrethon Kryeministrinë. Në pjesën e pasme të saj po merreshin masat e fundit për të blinduar hyrjen dytësore në selinë e Qeverisë.

E ngjashme ishte edhe situata në selinë e Parlamentit. Pak uniforma blu dhe njerëz nën hijet e pemëve që injorojnë telin me gjemba dhe gardhin metalik. Dy javë më parë ishin bombat molotov që surprizuan, duke sjellë një seri reagimesh të forta ndërkombëtare që dënonin dhunën. Ndërsa kjo protestë vjen në një moment ku partnerët gjermanë janë ofruar për të ndihmuar palët të ulen pa kushte në tryezën e dialogut, ndonëse vetëm një ditë më parë Lulzim Basha konfirmoi nga Mati se nuk hiqte dorë nga kushti i tij.

Shkarkoni aplikacionin e A2