Protesta, BE: Larg dhunës, dialogoni!

Pak orë para nisjes së protestës së gjashtë të opozitës ka reaguar me anë të një deklarate Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadave të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

BE bën thirrje për protestë paqësore, ndërsa dënon aktet e dhunës së ndodhura në protestat e mëparshme. “Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri respektojnë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Megjithatë, ne përsërisim rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë paqësore. Ne dënojmë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen”.

Më tej, BE u bën thirrje palëve për dialog, duke e parë atë si rrugën e vetme për zgjidhjen e krizës. “Për të mirën e qytetarëve shqiptarë, shumica e të cilëve dëshiron të shohë që vendi të bëjë përpara me procesin e reformave dhe të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente”.

Shkarkoni aplikacionin e A2