Protesta e opozitës, Presidenti: Duhet të jetë tërësisht paqësore

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar në prag të protestës së sotme të opozitës se është shumë e rëndësishme që “ajo të jetë tërësisht paqësore”.

“Në prag të protestës kombëtare të thirrur sot në mbrëmje nga drejtuesit e Opozitës së Bashkuar, duke shprehur bindjen se tubimet paqësore  e demokratike, janë një e drejtë fondamentale e demokracisë, legjitime e kushtetuese, dua të theksoj se sa e rëndësishme është që ajo të jetë tërësisht paqësore. Në protestat e mëparshme, pavarësisht nga përkrahja qytetare, janë vërejtur disa akte dhune të papranueshme, ndaj dua t’ju kujtoj se drejtësia e kauzës tuaj, nuk duhet të cënohet nga veprime të papërmbajtura të individëve të caktuar”, shprehet Kreu i Shtetit.

Më tej, Meta nënvizon se “është përgjegjësi e udhëheqësve të Opozitës së Bashkuar për mbarëvajtjen e protestave ku ata ftojnë qytetarët të marrin pjesë”.

“Vetëm në këtë mënyrë, kauza juaj për një demokraci të vërtetë, që garanton një bashkëjetesë të gjerë qytetare, legjitimitet e funksionalitet të institucioneve, do të dëgjohet më mirë brenda dhe jashtë vendit. Protestat e vazhdueshme të opozitës kanë pasur vëmendjen dhe janë transmetuar nga mediat më të njohura botërore, por imazhet tërësisht paqësore të protestës suaj do t’i shërbejnë më mirë të ardhmes europiane të Shqipërisë”, shton Meta.

Shkarkoni aplikacionin e A2