Detajet e festës së Partizanit, trofeu humbet për pak minuta, tifozët nuk ikin pa prerë rrjetën

Entuziazmi i tifozëve të Partizanit për fitimin e titullit kampion për herë të parë pas 26 vitesh ishte aq i madh, sa që iu morën trofeun nga duart lojtarëve për të festuar. Për disa minuta, kupa humbi nga sytë dhe të gjithë nisën të shqetësoheshin se ku mund të kishte përfunduar.

Ishte drejtori sportiv i klubit, Olsi Rama, ai që nuk u rrëmbye nga entuziazmi dhe arriti të gjente trofeun, duke bërë menjëherë edhe një foto me ish-sulmuesin e klubit të kuq, Edmond Dosti.

Të zbritur në fushën e “Selman Stërmasit”, tifozët e Partizanit shkaktuan jo pak rrëmujë, duke u përpjekur edhe të prisnin rrjetat e portave, për të marrë një kujtim. Por për të shmangur këto veprime menduan rojet private të sigurisë së stadiumit, të cilët u vendosën rreth portave, ndërsa pati edhe nga ata tifozë që thjesht qëndronin të shtrirë në tapetin e gjelbër të stadiumit, e nuk donin t’ia dinin për t’u larguar.

Shkarkoni aplikacionin e A2