El Chapo kërkon pak “ajër”, autoritetet: Plan për t’u arratisur

Ankesat e Joaquin El Chapo Guzman për mungesën e aktiviteteve në ajër të pastër mund të jenë pjesë e një plani për t’u arratisur nga burgu para se të marrë edhe dënimin muajin e ardhshëm. Të paktën kështu mendojnë autoritetet federale amerikane.

Burgu në Nju Jork, ku El Chapo ndodhet momentalisht.

Që prej dhënies së vendimit për fajësinë e tij si një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës, El Chapo qëndron në një burg federal në Nju Jork, në një dhomë pa dritare vetëm 6 metra katrorë. Në një letër drejtuar autoriteteve pak javë më parë, avokati i tij ankohet se Guzman nuk ka parë kurrë dritën e diellit në dy vite që ka qëndruar ndërsa zhvillohej gjyqi kundër tij, si dhe i është dashur të mbushë veshët me letër higjienike për të mos dëgjuar zhurmat e mëdha në burg.

Por Shtetet e Bashkuara i janë përgjigjur akuzave duke thënë se i vetmi vend ku mund të kryhen aktivitete në ambient të hapur është tarraca e godinës e mbyllur me tela, ku në vitin 1981 një i burgosur është përpjekur të arratiset.

“I burgosuri ka planifikuar dhe ekzekutuar me sukses dy arratisje tepër të ndërlikuara nga dy institucione penale të sigurisë së lartë, duke ndërtuar edhe një tunel të ventiluar për më shumë se një kilometër. Kështu që arratisja përmes tarracës së një godine do të ishte elementare krahasuar me arratisjet e mëparshme”, thuhet në përgjigjen dërguar avokatit.

Pasi u shpall fajtor për 10 akuza, mes tyre trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike, El Chapo do të mësojë edhe dënimin, me siguri burgim i përjetshëm, si dhe burgun ku do ta vuajë atë. Me shumë gjasë ai do të dërgohet në burgun e sigurisë së lartë në Florence, Kolorado, një godinë në mes të maleve, ku ndodhen edhe disa nga kriminelët e tjerë më famëkeq të Shteteve të Bashkuara. Të burgosurit atje qëndrojnë 23 orë në ditë të mbyllur në qeli, me një dritare të vogël.

Burgu i sigurisë së lartë në Florence, Kolorado.
Shkarkoni aplikacionin e A2