Hamilton triumfon në Monako: Fitorja për ty Niki

Lewis Hamilton arriti të fitojë duelin me Max Verstappen dhe të “mbijetojë” pas një aksidenti me pilotin e Red Bull, për të triumfuar në Çmimin e Madh të Monakosë.

Kampioni në fuqi i botës pati vështirësi me gomat e Mercedesit të tij dhe u ankua vazhdimisht se nuk do të arrinte të çonte garën deri në fund, por me kujdes arriti të ruante makinën dhe të siguronte kështu fitoren e katërt në këtë sezon.

Për shkak të një penaliteti pesë sekondësh, Verstappen zbriti nga vendi i dytë në të katërtin, duke bërë që në podium të ngjiteshin Sebastian Vettel i Ferrarit dhe piloti tjetër i Mercedes, Valtteri Bottas, i cili me vendin e tretë ndërpreu serinë pozitive të skuderisë gjermane m dy pilotë në vend të parë dhe të dytë.

Tashmë, Hamilton ka një epërsi prej 17 pikësh ndaj shokut të tij të skuadrës. Në përfundim të garës, britaniku ia kushtoi fitoren legjendës së Formula 1, Niki Lauda, të ndarë nga jeta më 20 maj. “Po garoja me shpirtin e Nikit. U përpoqa të ruaja përqendrimin dhe ta bëja krenar”, tha Hamilton. “E ndjeva se ai ishte me mua sot”.

Shkarkoni aplikacionin e A2