
Hebrenjtë në Gjermani paralajmërohen që të shmangin kapelën tradicionale
Hebrenjtë në Gjermani janë paralajmëruar nga një zyrtar i lartë i Qeverisë që të mos mbajnë mbi krye kipan – kapelën tradicionale të hebrenjve – gjatë daljeve në publik, një masë kjo që duhet marrë për shkak të rritjes së sulmeve me sfond anti-semit në vend.
Felix Klein, komisionieri i Qeverisë gjermane për anti-semitizmin, deklaroi për mediat vendase: “Mendimi im fatkeqësisht ka ndryshuar nga ai që kam pasur më parë. Nuk mund t’i këshilloj hebrenjtë që ta mbajnë veshur kipan kudo në Gjermani”.
“Interneti dhe mediat sociale kanë kontribuar në këtë situatë, por edhe sulmet e vazhdueshme ndaj kulturës dhe kujtesës sonë”, shtoi ai.

Komisioneri ka bërë thirrje që policët të kryejnë stërvitje speciale për të luftuar rritjen e krimeve me sfond anti-semit. “Ka shumë pasiguri mes policëve dhe zyrtarëve shtetërorë në lidhje me këtë problem”, tha ai, duke shtuar se shumë vetë nuk e dinë se çfarë është e lejuar dhe çfarë jo, prandaj është e nevojshme që të kryhet një trajnim informues.
Më parë, Klein kishte deklaruar për CNN se anti-semitizmi gjithmonë ka ekzistuar në Gjermani, por paralajmëroi se tashmë “kishte nisur të tregonte fytyrën e tij të shëmtuar më hapur”. “Kur unë isha në shkollë, fjala “hebre” nuk ishte fyerje, ndërsa sot po, madje përdoret edhe në shkollat ku nuk ka fare studentë hebrenj”.