Partitë Popullore mbeten shumicë, por fitojnë Salvini e Le Pen, Tsipras shpall zgjedhje të parakohshme

Partitë Popullore mbeten shumicë, por fitojnë Salvini e Le Pen, Tsipras shpall zgjedhje të parakohshme
Partitë Popullore Europiane do të jenë sërish grupi me më shumë përfaqësues në Parlamentin Europian, edhe pse me humbje të mëdha nga radhët e tyre. Partitë Popullore mund të kenë siguruar 177 vende në Parlament, 40 më pak nga sa kanë momentalisht. Grupimi i dytë pritet të jetë ai i social demokratëve, me 147 deputetë, por edhe këta me 40 deputetë më pak se sa në mandatin aktual.
Rritje kanë pasur Aleanca e Liberal Demokratëve, që projektohet të kapë 101 vende (33 më shumë se momentalisht), por edhe Të Gjelbrit, me 69 deputetë (27 më tepër se sa kanë momentalisht). Këta të fundit kanë arritur rezultat befasues veçanërisht në Gjermani, ku sipas televizionit shtetëror ZDF, 1/3 e të rinjve kanë votuar për ta.
Në Itali, Lega e Matteo Salvinit flet për një rezultat historik, ndërsa sondazhet tregojnë se ka marrë 30% të votave, ndjekur nga Partia Demokratike me 24,5 %, 5 yjet me 22,5% dhe Forza Italia me 8%.
Në Francë, liderja e Partisë Nacionaliste, Marine Le Pen ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, pasi ka dalë forcë e parë, duke kaluar partinë e Presidentit Macron, por në Parlamentin Europian ai pritet të formojë një koalicion me Aleancën e Liberal Demokratëve, duke siguruar kështu 101 vende. Nacionalistët duket se kanë fituar edhe në Poloni e Hungari.
Në Greqi do të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi Kryeministri Alexis Tsipras nuk vonoi t’i përgjigjej thirrjes së liderit të Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis. Partia e tij ka një avantazh prej 9% ndaj Syrizas dhe Tsipras përmbushi premtimin, pasi kishte thënë se këto zgjedhje ishin një votëbesim për qeverinë e tij.
Shqipëria ndërkohë duket se do të ketë një tjetër raportues në Parlamentin Europian, pasi Knut Fleckenstein ka pranuar se nuk ka fituar votat e duhura për t’u rizgjedhur si eurodeputet. “Megjithatë, do të vazhdoj të qëndroj i lidhur me Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor”, shkruan ai në një postim në Twitter.
Britanikët nuk duhet të kishin votuar fare në këto zgjedhje, pasi Brexit duhet të kishte ndodhur që në mars, por gjithsesi, partitë kryesore, ajo Konservatore dhe Laburiste, kanë humbur ndërsa partia Brexit e Nigel Farage ka mbledhur numrin më të madh të votave, duke konfirmuar dëshirën e popullit britanik për largim nga unioni.